Njoftim 05.05.2017

Njoftim 05.05.2017

Në lidhje me masat e marra nga Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, në lidhje me administrimin e shërbimit civil në përputhje me ligjin, gjatë fushatës zgjedhore Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, bazuar në nenin 14 dhe 15, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, në kushtet e zgjedhjeve të përgjithshme për

Kuvendin e Shqipërisë, me qëllim që:
• të orientohen njësitë përgjegjëse, të ngarkuara me administrimin e shërbimit civil, për të menaxhuar drejt situatën që krijohet për shkak të rrethanave specifike të diktuara nga një eksperiencë zgjedhore, që mund të sjellë si pasojë uljen e efikasitetit, apo përfshirjen e nëpunësit civil në fushatën elektorale, për llogari të forcave të ndryshme politike, ç’ka vjen në kundërshtim me parimin e paanësisë politike, mbi të cilin bazohet administrimi i shërbimit civil (neni5, Kreu II, i ligjit në fjalë);

• të sigurohet zbatimi i ligjit, në drejtim të respektimit të të drejtave politike të nëpunësit civil, e njëkohësisht edhe të kufizimeve të vendosura në dispozitën që përfaqësohet nga neni 37, i ligjit në fjalë, ku ndër të tjera, ndalohet pjesëmarrja e tij në veprimtari politike gjatë orarit zyrtar, si dhe shprehja publikisht e bindjeve apo preferencave politike;

• të sigurohet vijueshmëria normale dhe e pa ndikuar nga fushata zgjedhore, e veprimtarisë së trupës së nëpunësve civilë, në shërbim të shtetit dhe qytetarëve;
ka kërkuar marrjen e masave të menjëhershme, për të vendosur kontrollin mbi sjelljen e nëpunësve civilë në përputhje me ligjin, në institucionet e administratës shtetërore, qendrore dhe atyre të varësisë, në këtë situatë specifike.

Për të monitoruar këtë aspekt, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, me Urdhrin nr. 44, datë 05.05.2017, “Për krijimin e grupit të gatshëm me objekt veprimtarie, monitorimin e sjelljes së nëpunësve civile gjatë fushatës zgjedhore”, ka krijuar grupin e gatshëm, në përbërje të të cilit janë 12 inspektorë, nën drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm, të autorizuar për të monitoruar situatën në të gjitha institucionet që janë pjesë e sistemit të shërbimit civil.

Ky proces do të realizohet në bashkëpunim Departamentin e Administratës Publike dhe me grupet e monitorimit që do të ngrihen në institucionet e administratës shtetërore, që përfshijnë 18 ministritë e linjës dhe institucionet e tyre të varësisë, si dhe në 73 njësitë e qeverisjes vendore, ku përfshihen 61 Bashki dhe 12 Këshilla Qarku. Komisioneri do të koordinojë punën, për të monitoruar sjelljen e nëpunësve civilë gjatë fushatës zgjedhore, si nëpërmjet raportimeve të DAP dhe institucioneve përkatëse, ashtu edhe nëpërmjet sondazheve që do të kryejë Komisioneri, me grupet e krijuara nga 12 inspektorët e
gatshëm, që janë në dispozicion të këtij procesi, për të verifikuar vërtetësinë e fakteve të raportuara nga institucionet, apo edhe kontrollin e drejtpërdrejtë të prezencës në punë të nëpunësve civilë.

Po kështu, Komisioneri do të verifikojë kryesisht, çdo denoncim nga subjekte të ndryshme, si dhe nga media, ndaj nëpunësve civilë që ushtrojnë veprimtarinë në institucionet e administratës shtetërore.

Nga ana tjetër, Komisioneri do të jetë në mbështetjen e njësive të administrimit të burimeve njerëzore, në çdo rast, kur ata do të përballen me vështirësi të shkaktuara për shkak të presionit politik, që mund të jetë prezent në këtë situatë specifike. Në këto rrethana, Komisioneri ka kërkuar nga institucionet, që të veprojnë menjëherë, me qëllim që të jenë në lartësinë që kërkon situata, për të siguruar zbatimin e ligjit dhe për të siguruar zbatimin e parimeve themelore të administrimit të shërbimit civil, për një administratë në shërbim të qytetarëve dhe të pavarur nga politika

Njoftim per shtyp 05.05.2017

No Comments

Post A Comment