Kush jemi

Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil është është person juridik, i pavarur, i cili është përgjegjës për mbikëqyrjen e ligjshmërisë në administrimin e shërbimit civil. Komisioneri është institucion i krijuar me ligjin nr.152/2013, “Për nëpunësin civil” (ndryshuar me ligjin nr. 178/2014 dhe ligjin 41/2017), i cili kryesisht ose me kërkesë të institucioneve, mbikëqyr zbatimin e ligjit në administrimin e shërbimit civil në të gjitha institucionet që punësojnë nëpunës civilë. Në ushtrimin e kompetencave, Komisioneri kryen hetim të plotë administrativ, sipas Kodit të Procedurave Administrative; kërkon dhe merr nga institucionet çdo informacion të nevojshëm për kryerjen e detyrave të tij; inspekton dosjet dhe çdo dokument, lidhur me administrimin e shërbimit civil; kërkon, kryesisht apo me kërkesë, dëshmi të çdo nëpunësi apo funksionari të institucionit; këqyr dhe inspekton çdo praktikë administrimi në çdo institucion që punëson nëpunës civilë.