Njoftim 9.06.2017

Njoftim 9.06.2017

Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil është duke monitoruar sjelljen e nëpunësve civilë gjatë fushatës zgjedhore, me qëllim që të sigurojë zbatimin e ligjit për nëpunësin civil. Procesi i monitorimit që është duke realizuar Komisioneri gjatë fushatës zgjedhore, ndër të tjera, ka për qëllim ndalimin e përdorimit të detyruar të nëpunësve civilë në fushatën zgjedhore, gjatë orarit zyrtar, për qëllime zgjedhore të subjekteve politike, e po kështu edhe mbikëqyrjen e zbatimit të të drejtave të tyre me karaktet politik, si dhe respektimin nga ana e tyre, të kufizimeve që ligji i ka vendosur në lidhje me këto të drejta.

Duke ndjekur zhvillimet në kohë reale dhe duke marrë shkas nga konfuzioni i krijuar në radhët e nëpunësve civilë, Komisioneri e vlerëson të domosdoshme të sqarojë opinionin publik, në përgjithësi, dhe nëpunësit civilë, në veçanti, se detyrimi i tyre për të mos marrë pjesë në veprimtari politike është vetëm brenda orarit zyrtar. Ata kanë të drejtë të marrin pjesë në veprimtari të subjekteve zgjedhore, të dëgjojnë të gjitha alternativat e ofruara gjatë fushatës zgjedhore, apo të marrin pjesë në subjektet politike në të cilat janë të anëtarësuar, por gjithmonë jashtë orarit zyrtar dhe duke u treguar të kujdesshëm që të vetëpërmbahen në
shprehjen e bindjeve apo preferencave të tyre politike në ambiente publike.

Ky qëndrim, bazohet në interpretimin e nenit 37, të ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, që është dispozita ligjore që rregullon të drejtat politike të nëpunësve civilë, Kjo dispozitë nuk parashikon asnjë pengesë ligjore për sa është parashtruar më sipër. Një moment i dytë që duhet të kihet parasysh është detyrimi ligjor që kanë nëpunësit civilë për të njoftuar institucionin në rastin e kandidimit në zgjedhjet politike. Pas kësaj, njësitë e administrimit të burimeve njerëzore, në institucionet e pavarura dhe në njësitë e qeverisjes vendore, si dhe Departamenti i Administratës Publike për institucionet e administratës
shtetërore, kanë të drejtë të konstatojnë rrethanat e pezullimit dhe të vendosin për pezullimin ose jo të punonjësit nga shërbimi civil.

Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, është angazhuar me të gjitha kapacitetet e tij, për të siguruar një standard të ri në administrimin e shërbimit civil gjatë periudhave zgjedhore, duke mos lejuar përdorimin e nëpunësve civilë për nevoja elektorale dhe për të siguruar vijimësinë e punës në shërbim të qytetarëve.

Gjithashtu, Komisioneri është transparent për të informuar opinionin publik në lidhje me të gjitha aspektet e veprimtarisë së tij, gjatë monitorimit të sjelljes së nëpunësve civilë në të gjithë territorin e vendit.

Me respekt,
KOMISIONERI
Pranvera STRAKOSHA

NJoftim per shtyp 09.06.2017

No Comments

Post A Comment