Pyetje përgjigje

1. Si realizohet pranimi në shërbimin civil?

Pranimi në shërbimin civil realizohet vetëm përmes një procedure konkurrimi kombëtar.

Procesi i përzgjedhës së kandidatëve bazohet në vlerësimin e aftësive profesionale të kandidatëve, që përfshin paraseleksionimin, testimin me shkrim, një dhe intervistë e strukturuar me gojë.

Pranimi për herë të parë në shërbimin civil bëhet vetëm në kategorinë “ekzekutive”, por ka edhe përjashtime si psh:

  • Pranimi i kandidatëve nga jashtë shërbimit civil për të konkurruar në një numër të limituar pozicionesh të nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues;
  • Në bazë të një konkursi për tu bërë pjesë e trupit të nivelit të lartë drejtues që është i hapur për kandidatë nga jashtë;

Procedura e konkurrimit realizohet nga “njësia përgjegjës”.

Departamenti i Administratë Publike është “njësia përgjegjës” për organizimin e procedurës së rekrutimit në shërbimin civil për institucionet e administratës shtetërore. Ndërsa për Institucionet e pavarura/Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore, “njësi përgjegjëse” është njësia e burimeve njerëzore e krijuar brenda institucionit.

2. Si mund të behësh nëpunës civil?
  • Kontrollo për vende vakante të publikuara. Për institucionet e administratës shtetërore, shpallja e procedurës së pranimit për secilin grup publikohet në faqen zyrtare të DAP-it dhe në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe qëndron e publikuar deri në përfundimin e procedurës së pranimit.

Institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore bëjnë shpalljen e procedurës së pranimit për secilin grup në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, në stendat e informimit të publikut, si dhe në faqen e tyre të internetit në rast se kanë.

  • Shiko nëse ndonjë nga pozicinet i përshtatet kualifikimit tuaj;
  • Plotëso dokumentat e nevojshme për aplikim të cilat i gjen të përcaktuara në shpallje duke respektuar afatin e caktuar për dorëzimin e tyre;
  • Kalo procedurën e vlerësimit që përfshin paraseleksionimin, testimin me shkrim, një dhe intervistën e strukturuar me gojë.
3. Çfarë informacioni mund të gjeni tek shpallja e vendit vakant?
  • Fushën kryesore mbi të cilën do të bazohet konkurrimi, si dhe aftësitë dhe cilësitë që do të vlerësohen në konkurrim; 
  • Fazat në të cilën do të kalojë konkurrim, me shkrim dhe me gojë;
  • Numrin e vendeve të planifikuara për të cilat do bëhet pranimi; 
  • Kërkesat e përgjithshme, në përputhje me nenin 21 të ligjit nr.152/2013, Për Nëpunësin civil,” i ndryshuar; 
  • Përshkrimin e përgjithshëm të punës së grupit/grupeve të administrimit të përgjithshëm të posaçëm, për të cilën do zhvillohet konkurrimi; 
  • Kërkesat e veçanta të grupit të administrimit të përgjithshëm/të posaçëm; 
  • Dokumente që duhet të dorëzohen dhe mënyrën e dorëzimit të tyre; 
  • Afatin e dorëzimit të përcaktuar me datë të saktë kalendarike; 
  • Datën e daljes së rezultateve për fazën e vlerësimit paraprak të kandidatëve; 
  • Mënyrën e vlerësimit të kandidatëve në fazën e vlerësimit paraprak, si dhe në fazën e vlerësimit të kandidatëve; 
  • Mënyrën e njoftimit dhe komunikimit me kandidatët;

 

4. Cilat janë afatet për dorëzimin e dokumentacionit?

Afati për dorëzimin e dokumentacionit është të paktën 15 ditë kalendarike nga dita e shpalljes në: 

  • Faqen zyrtare të DAP-it, dhe portalin Shërbimi Kombëtar i Punësimit” për institucionet e administratës shtetërore;
  • Portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, në faqen zyrtare të internetit dhe në ambientet e brendshme, për institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore;
5. Cilat janë kërkesat e përgjithshme për pranimin në shërbimim civil?

Për pranimin në shërbimin civil, një kandidat duhet të plotësojë kërkesat e përgjithshme si më poshtë:

  • të jetë shtetas shqiptar;
  • të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
  • të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
  • të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
  • të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
  • ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga shërbimi civil, që nuk është shuar sipas këtij ligji;
  • të plotësojë kërkesat e posaçme për nivelin e arsimit, përvojës dhe kërkesat të tjera të posaçme për kategorinë, klasën, grupin dhe pozicionin përkatës.
6. Si realizohet konkurrimi?

Konkurrimi zhvillohet në dy faza:

  • Verifikimi paraprak, i cili ka për qëllim të verifikojë nëse kandidatët plotësojnë kërkesat e përgjithshme dhe ato të veçanta, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim
  • Vlerësimi i kandidatëve
7. Si vlerësohen kandidatët?

Në vlerësimin e kandidatëve përfshihen:

  • Vlerësimi i jetëshkrimit të kandidatëve, që konsiston në vlerësimin e arsimit, të përvojës dhe trajnimeve, të lidhura me fushën;
  • Vlerësimi nga testimi me shkrim;
  • Vlerësimi nga intervista e strukturuar me gojë;
8. Sa është afati për të ushtruar të drejtën e ankimimit për mos kualifikim?

Çdo kandidat ka të drejtë të paraqes një ankesë me shkrim pranë “njësisë përgjegjëse” brenda 5 ditëve kalendarike nga data e njoftimit individual për mos kualifikimin e tij.

Njësia përgjegjëse detyrohet ti kthejë ankuesit përgjigje brenda 5 ditëve kalendarike nga data e përfundimit të afatit të ankimit.

9. Kush e nxjerr aktin e emërimit në detyrë dhe cilat janë efektet ligjore të tij?
  • Akti i emërimit nxirret nga “njësia përgjegjëse”, që është Departamenti i Administratës Publike për institucionet e administratës shtetërore dhe njësia e burimeve njerëzore për institucionet e pavarura dhe bashkitë.
  • Aktin e emërimit del pas marrjes së miratimit zyrtar nga ana e kandidatit fitues dhe dorëzimit prej tij të formularit të vetëdeklarimit (formularin e dekriminalizimit). Kandidati fitues i procedurës së pranimit në shërbimin civil emërohet nëpunës civil në periudhë prove.
  • Kandidati fitues detyrohet të paraqitet pranë institucionit ku është emëruar jo më vonë se 5 ditë pune nga data e komunikimit të aktit të emërimit.
  • Në rast të mosparaqitjes së kandidatit fitues në institucionin ku është emëruar, brenda 5 ditëve kalendarike nga momenti i komunikimit të aktit të emërimit, institucioni njofton brenda 5 ditëve pune njësinë përgjegjëse.
  • Njësia përgjegjëse me marrjen e njoftimit për mosaraqitje në punë të nëpunësit të emëruar filllon dhe ndjek procedurën për anulimim e aktit të emërimit duke respektuar dispozitat përkatëse të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative.
10. Kur fillojnë efektet financiare të kandidatit të emëruar?
  • Institucioni pasi merr aktin e emërimit, brenda 5 ditëve pune nga data e paraqitjes së nëpunësit të emëruar detyrohet të nxjerrë aktin e fillimit të marrëdhënieve financiare.
  • Ky afat mund të shtyhet me marrëveshje midis 2 palëve, por jo më shumë se një muaj nga data e nxjerrjes së aktit të emërimit nga njësia përgjegjëse.
11. Si bëhet konfirmimi i nëpunësit civil?

Çdo person i emëruar për herë të parë në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive është subjekt i një periudhe prove 1 vjeçare, e cila fillon nga data e fillimit të detyrës. Ky mjet përdoret për të vlerësuar nëse nëpunësi është i përshtatshëm për të punuar në pozicionin e punës ku është emëruar.

Gjatë periudhës së provës, nëpunësi do të ndjekë programin e trajnimit të detyrueshëm pranë ASPA-s dhe do të realizojë detyrat nën udhëheqjen e një nëpunësi civil më të vjetër, i/e cili/a do ndihmojë nëpunësin të kryej detyrat.

Pas marrjes së mendimit me shkrim nga nëpunësi civil më i vjetër, eprori direkt është i detyruar të vendosë konfirmimin e nëpunësit civil, nëse ka përfunduar me sukses trajnimin e detyrueshëm në ASPA dhe është vlerësuar të paktën “kënaqshëm”.

Njësia përgjegjëse nxjerr aktin e deklarimit të statusit të nëpunësit brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga data e njoftimit të konfirmimit nga institucioni përkatës.

12. Cfarë është lëvizja paralele në shërbimin civil?

Lëvizja paralele është kalimi i nëpunësit civil në një pozicion pune të të njëjtit nivel apo klasë brenda të njëjtit institucion ose në një institucion tjetër që përfshihet në administratën qendrore apo vendore.

Çdo nëpunës civil, ka mundësinë të lëvizi brenda sistemit të shërbimit civil, duke aplikuar në procedurën e plotësimit për një vendi të lirë pune në kategorinë që zotëron, në të njëjtin institucion apo në një institucion tjetër pjesë e shërbimit civil, nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele.

13. Si realizohet procedura e lëvizjes paralele:

Procedura e lëvizjes paralele përfshin dy faza:

Faza e parë është verifikimi i kandidatëve, të cilët përmbushin kushtet e lëvizjes paralele dhe kërkesat e veçanta të përcaktuara në shpalljen për konkurrim;

Faza e dytë është vlerësimi i kandidatëve, ku përfshihen vlerësimi i përvojës në punë, trajnimet, kualifikimet e lidhura me fushën përkatëse, si dhe vlerësimet pozitive dhe intervista e strukturuar me gojë.

14. Cfarë kushtet duhet të plotësojë kandidati për të marrë pjesë në procedurën e lëvizjes paralele?
  • Të jetë nëpunës civil i konfirmuar, brenda së njëjtës kategori për të cilën aplikon;
  • Të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
  • Të ketë të paktën vlerësimin e fundit “Mirë” apo “Shumë mirë”;
  • Të plotësojë kriteret e veçanta të përcaktuara në shpalljen për konkurrim.
15. Si e vlerëson Komisioni dokumentacionin e dorëzuar nga kandidati?

Komisioni vlerëson dokumentacionin e dorëzuar sipas skemës së mëposhtme:

  • Përvoja (20 pikë)
  • Kualifikimi (10 pikë)
  • Certifikimi/Vlerësimi i nëpunësit (10 pikë)

Struktura e ndarjes së pikëve të vlerësimit të kandidatëve është:

  • 40 pikë për dokumentacionin e dorëzuar
  • 60 pikë intervista me gojë
16. Si bëhet lëvizja paralele brenda së njëjtës kategori për plotësimin e vendeve të lira në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese dhe cilat janë hapat që ndiqen?

Lëvizja paralele për plotësimin e vendeve të lira në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese është një procedurë disi ndryshe nga ajo e ngritjes në detyrë, sepse në të nuk përfshihet faza e testimit me shkrim.

Konkurrimi për procedurën e lëvizjes paralele përfshin dy faza:

  • verifikimin paraprak, nëse kandidatët plotësojnë kushtet dhe kërkesat e posaçme për vendin/vendet e lira, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim;
  • vlerësimin e kandidatëve, ku përfshihen vlerësimi i përvojës në punë, trajnimet, kualifikimet e lidhura me fushën përkatëse, si dhe vlerësimet pozitive dhe intervista e strukturuar me gojë.

Kushtet minimale që duhet të plotësojë kandidati për të kaluar procedurën e verifikimit paraprak janë:

  • të jetë nëpunës civil i konfirmuar, brenda së njëjtës kategori për të cilën aplikon;
  • të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
  • të ketë të paktën vlerësimin e fundit “Mirë” apo “Shumë mirë”;
  • të plotësojë kushtet dhe kërkesat e posaçme të përcaktuara në shpalljen për konkurrim.

Shpallja është e hapur për të gjithë nëpunësit civilë të së njëjtës kategori në të gjitha institucionet, pjesë e shërbimit civil. Dokumentacioni duhet të dorëzohet brenda datës së përcaktuar në shpalljen për vendin e lirë. Kjo datë përcaktohet duke siguruar që afati i dorëzimit të dokumentacionit të mos jetë më i vogël se 10 (dhjetë) ditë kalendarike nga dita e parë e shpalljes.

17. Si ndahet struktura e pikëve të vlerësimit të kandidatit për procedurën e lëvizjes paralele?

Struktura e ndarjes së pikëve të vlerësimit të kandidatëve, është si më poshtë vijon:

  • 40 pikë për dokumentacionin e dorëzuar, i ndarë në: 20 pikë përvojë, 10 pikë për trajnime apo kualifikime të lidhura me fushën përkatëse, dhe 10 pikë për çertifikimin pozitiv ose për vlerësimet e rezultateve individuale në punë në rastet kur procesi i çertifikimit nuk është kryer;
  • 60 pikë intervista me gojë.
18. Si bëhet shpallja e kandidatit fitues?
  • Njësia përgjegjëse pas marrjes së mendimit zyrtar nga kandidati/kandidatët fitues, shpall fituesin/fituesit dhe bën aktin e emërimit të kandidatit/kandidatëve.
  • Shpallja e fituesit/fituesve bëhet në faqen e internetit të DAP-it dhe në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, ndërsa për institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore, përveç portalit, ajo bëhet edhe në stendat e informimit të publikut.
  • Nëpunësi civil i emëruar nuk i nënshtrohet periudhës së provës.
  • Nëpunësi civil që emërohet nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele detyrohet të bëjë dorëzimet në pozicionin e mëparshëm të punës brenda 5 (pesë) ditëve pune.
  • Nëpunësi civil detyrohet të paraqitet, pranë institucionit ku është emëruar, jo më vonë se 1 (një) ditë pune nga dita e përfundimit të dorëzimit të detyrës pranë institucionit të mëparshëm.
  • Në rast të mosparaqitjes së nëpunësit civil brenda afatit të përcaktuar, të institucionit ku nëpunësi është emëruar, institucioni njofton njësinë përgjegjëse brenda 5 (pesë) ditëve pune nga përfundimi i afatit. Në këtë rast njësia përgjegjëse vijon procedurën me anulimin e aktit administrativ (akti i emërimit), në zbatim të dispozitave të Kodit të Procedurave Administrative.
19. Kur aplikohet procedura e ngritjes në detyrë?

Në rastet kur një vend vakant në kategorinë e nivelit të ulët apo të mesëm drejtues nuk plotësohet nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele, njësia përgjegjëse shpall procedurën e ngritjes në detyrë.

Në rastin e ngritjes në detyrë, kjo do të shoqërohet edhe me ndryshim të nivelit të pagës, përgjegjësisë dhe pritshmërisë për performancë. Ngritja në detyrë bëhet me konkurrim ndërmjet nëpunësve civilë të së njëjtës kategori, në të njëjtin institucion apo nga institucione të tjetë të shërbimit civil.

20. Kush ka të drejtë të aplikojë për plotësimin e një pozicioni pune në kategorinë e nivelit të ulët apo të mesëm drejtues?

Kanë të drejtë të aplikojnë në procedurën për lëvizje paralele dhe ngritje në detyrë:

  • Nëpunësit civilë të së njëjtës kategori, në të njëjtin institucion apo në një institucion tjetër të shërbimit civil, që plotësojnë kushtet dhe kërkesat e posaçme për vendin/vendet e lira;
  • Nëpunësit civilë të një kategorie paraardhëse, të punësuar në të njëjtin apo në një institucion tjetër të shërbimit civil, nëse plotësojnë kushtet dhe kërkesat e veçanta për vendet e lira.
21. Kur mund të pranohen në konkurrim kandidatë nga jashtë shërbimit civil?
  • Për pranimin në kategorinë ekzekutive

 

Shpallja është e hapur për të gjithë kandidatët nga jashtë shërbimit civil. Dokumentacioni duhet të dorëzohet brenda datës së përcaktuar në shpalljen për konkurrim. Kjo datë përcaktohet duke siguar që afati i dorëzimit të dokumentacionit të mos jetë më i vogël se 15 ditë kalendarike nga dita e parë e shpalljes në:

  • Faqen zyrtare të DAP-it dhe portalin ‘Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, për institucionet e administratës shtetërore
  • Portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit
  • Në faqen zyrtare të internetit dhe në ambianetet e brendshme, për institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore.

 

  • Për ngritjen në detyrë

                       

  • Në rast se një vend vakant në kategorinë e ulët apo të mesme drejtuese, nuk plotësohet nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele dhe Këshilli i Ministrave për institucionet e administratës shtetërore apo organi kompetent për institucionet e pavarura ka marrë vendim që procedura e plotësimit të vendeve të lira për kategorinë e ulët apo të mesme drejtuese të jetë e hapur edhe për kandidatë të tjerë që plotësojnë kushtet dhe kërkesat për vendin/vendet e lira;
  • Në çdo rast plotësimi i vendeve të lira në këtë kategori nuk mund të kalojë 20% të numrit total të vendeve në çdo vit kalendarik.
22. A lejohet emërimi i përkohshëm në shërbimin civil?

Emërimi i përkohshëm bëhet për ata kandidatë fitues, që nuk janë emëruar në një pozicion të rregullt sipas parashikimeve ligjore. Ata mund të emërohen në mënyrë të përkohshme nga njësia përgjegjëse në një pozicion pune i cili për arsye të parashikuara nga ligji, është vakant përkohësisht.

23. Cilat janë rastet që lejohet emërimi i përkohshëm?

Mund të emërohen përkohësisht në një pozicion të rregullt të shërbimit civil:

  • nëpunësit civilë të cilët janë larguar nga shërbimi civil si pasojë e mbylljes apo ristrukturimit të institucionit;
  • nëpunësit civilë të cilët kanë përfunduar afatin e pezullimit dhe nuk janë rikthyer në vendin e mëparshëm të punës apo nuk janë transferuar në një vend tjetër të së njëjës kategori, të regjistruar në listen e pritjes që administrohet nga njësia përgjegjëse;
  • nëpunësit civilë që kanë fituar gjyqin, dhe me vendim gjyqësor të formës së prerë Gjykata ka urdhëruar rikthimin e tyre në detyrë, të regjistruar në listë pritjeje.
24. Cilat janë hapat që ndiqen për emërimin e përkohshëm?

Emërimi i përkohshëm në kategorinë ekzekutive realizohet si më poshtë:

Kandidatët fitues që nuk janë emëruar në një pozicion të rregullt sipas parashikimeve ligjore mund të emërohen në mënyrë të përkohshme nga njësia përgjegjëse, në një pozicion pune i cili për arsye të parashikuara nga ligji është vakant përkohësisht.

  • Për administratën shtetërore, njësia e burimeve njerëzore e institucionit ku krijohet pozicioni i punës vakant në mënyrë të përkohshme, brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike, i drejtohet DAP-it duke e njoftuar për pozicionin e punës dhe shkakun e vakancës së përkohshme.
  • Njësia përgjegjëse, përzgjedh nga grupi i administrimit të përgjithshëm/posaçëm, që i përshtatet kërkesave të vendit të punës, kandidatin fitues që ka mbetur në listë pritje. Përzgjedhja dhe njoftimi i kandidatëve bëhet në bazë të renditjes së tyre në listë sipas pikëve.
  • Nëse kandidati fitues jep pëlqimin për emërimin e përkohshëm, njësia përgjegjëse nxjerr aktin e emërimit të përkohshëm në pozicionin e punës të propozuar, brenda 3 (tri) ditëve kalendarike.
  • Emërimi i një kandidati fitues në mënyrë të përkohshme nuk i heq atij të drejtën për t’u emëruar në mënyrë të përhershme në rast të krijimit të një pozicioni pune të lirë, gjatë kohës së vlefshmërisë së listës.
  • Me përfundimin e emërimit të përkohshëm, kandidati fitues, detyrohet të bëjë dorëzimet përkatëse brenda 5 (pesë) ditëve pune.
  • Emërimi i përkohshëm, pavarësisht kohëzgjatjes së tij nuk konsiderohet periudhë prove, në rast se kandidati fitues emërohet më pas në pozicion pune në mënyrë të përhershme.

E njëjta procedurë ndiqet nga njësia përgjegjëse edhe në rastet e emërimit në mënyrë të përkohshme të në pozicione pune të kategorisë se ulët dhe të mesme drejtuese nëpërmjet emërimit të:

  1. nëpunësve civilë të cilët janë larguar nga shërbimi civil si pasojë e mbylljes apo ristrukturimit të institucionit;
  2. nëpunësve civilë të cilëve u ka përfunduar afati i pezullimit në përfundim të të cilit nuk janë rikthyer në vendin e mëparshëm apo nuk janë transferuar në një vend tjetër dhe që janë regjistruar në listën e cila administrohet nga njësia përgjegjëse;
  3. nëpunësve civilë që kanë fituar të drejtën për rikthim në detyrë përmes një vendimi gjyqësor të formës së prerë dhe janë regjistruar në listë pritjeje.
25. Cili është kuptimi i nocionit “Pezullim” në Shërbimin Civil?

Pezullimi është një institut tjetër i rëndësishëm përsa i përket ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil” i ndryshuar. Pezullimi nënkupton ndërprerje të përkohshme të marrëdhënieve në shërbimin civil. Vjen si rezultat i arsyeve të parashikuara në ligjin për shërbimin civil apo me kërkesë të nëpunësit civil.

26. Në cilat raste pezullohet marrëdhënia në shërbimin civil?

Rastet në të cilat është parashikuar pezullimi në shërbimin civil janë si më poshtë:

  • Emërimi i nëpunësit civil në funksione që janë të përjashtuara nga shërbimi civil si: emërim në pozicion ministri, zëvendësministrit, funksionarë të emëruar nga Kuvendi, Presidenti i Republikës, Këshilli i Ministrave, ose emërim në pozicionin e ushtarakut të Forcave të Aramatosura;
  • Transferimi i nëpunësit civil në një organizatë ndërkombëtare, qeveri të huaj apo institucion ndërkombëtar, për shkak të nevojave të institucionit apo shtetit;
  • Në zbatim të një vendimi gjyqësor përmes të cilit është urdhëruar si masë ndaluese, pezullimi i ushtrimit të detyrës nga ana e nëpunësit civil;
  • Në zbatim të një vendimi gjyqësor të formës së prerë për deklarimin e nëpunësit civil të zhdukur;
  • Rregjistrimi në përputhje me ligjin i nëpunësit civil si kandidat në zgjedhjet vendore apo politike;
  • Kur nëpunësi civil ndodhet në konflikt të vazhdueshëm të gjendjes së interesit të deklaruar nga vetë ai;
  • Kur nëpunësi civil ndjek programin e formimit të thelluar pranë ASPA-s.
27. A ka të drejtë nëpunësi civil të kërkojë pezullin e marrëdhënies së tij në shëribimin civil ?

Çdo nëpunës civil ka të drejtë nëpërmjet një kërkese të kërkojë pezullimin e marrëdhënies në shërbimin civil në këto raste:

  • Kur zhvillon veprimtari në kuadër të organizatave apo institucioneve ndërkombëtare;
  • Për periudha studimi më shumë se 1 muaj deri në 2 vjet, vërtetuar me dokumentin përkatës;
  • Për arsye shëndetësore të tij apo njerëzve të afërm të tij, të vërtetuar me dokument të lëshuar nga institucioni shëndetësor brenda apo jashtë vendit;
  • Për punësim në aktitvitet privat/organizata jofitimprurëse brenda ose jashtë vendit, të vërtetuar me kontratën e punës të lidhur me punëdhënësin;
  • Për punësim në një pozicion të paktën të të njëtit nivel në një institucion të administratës publike që nuk është pjesë e fushës së veprimit të legjislacionit të nëpunësit civil;
  • Për punësim si ekspertë në projekte të ndryshme brenda ose jashtë vendit, të vërtetuar me kontratën përkatëse.
28. Cilat janë rastet kur nuk lejohet pezullimi?

Pezullimi nuk lejohet për:

  • Për nëpunësit civilë në periudhë prove;
  • Nëpunësit civilë të emëruar në pozicione të nivelit të ulët apo të mesëm drejtues, të rekrutuar nga jashtë sistemit të shërbimit civil të cilët nuk kanë plotësuar të paktën një vit pune në pozicionin në të cilin janë emëruar.
29. Çfarë kuptojmë me strukturim të institucionit?

Strukturimi i institucioneve nënkupton organizimin e brendshëm të një institucioni të krijuar për herë të parë (struktura dhe organika). Strukturimi i institucionit fillon në momentin e krijimit të një institucioni.

30. Çfarë kuptojmë me ristrukturim të institucionit?

Ristrukturimi nënkupton procesin e riorganizimit të institucionit, i cili shoqërohet me ndryshime thelbësore të brendshme të strukturës dhe organizimit të tij.

31. Kur ndodh ristrukturimi i institucionit?
  • Ka pasur ndryshime të misionit të institucionit;
  • Janë shtuar apo pakësuar vende pune si pasojë e ndryshimit të funksione të institucionit;
  • Kanë ndryshuar kriteret e vendit të punës;
  • Kërkohet një rishpërndarje e ndryshme e burimeve të shtuara apo të pakësuara për kryerjen e funksioneve.
32. Kur fillon transferimi i nëpunësve?

Procesi I transferimit të nëpunësve/punonjësve fillon në momentin e nxjerrjes/miratimit të aktit administrativ që miraton strukturën dhe organikën e re të institucionit.

33. Cili është organi i cili shqyrton mundësistë e sistemimit të nëpunësve në rast ristrukturimi/mbyllje?

Në rastet e mbylljes apo ristrukturimit, njësia përgjegjëse krijon një komision ristrukturimi, i cili shqyrton mundësitë e sistemimit të çdo nëpunësi civil në vendet e lira ekzistuese dhe propozon transferimin e nëpunësit në një pozicion të lirë të së njëjtës kategori, apo të një kategorie më të ulët vetëm me pëlqimin e tij, ku vlerësohet se nëpunësi I plotëson kërkesat specifike të vendit të punës.

34. A lejohet lirimi nga shërbimi civil për shkak të ristrukturimit apo mbylljes së institucionit?

Përfundimi i marrëdhënies në shërbimin civil për shkak të ristrukturimit apo mbylljes së institucionit nuk lejohet, me përjashtim të rasteve kur, si pasojë e këtyre procedurave ka shkurtim të numrit të përgjithshëm të nëpunësve civilë.

35. Kush e merr vendimin përfundimtarë të transferimit?

Njësia përgjegjëse merr vendimin përfundimtar të transferimit pas marrjes së propozimit të arsyetuar të Komisionit të Ristrukturimit.

36. Nga kush drejtohet Komisioni i ristrukturimit?

Komisioni i Ristrukturimit, drejtohet nga njësia përgjegjëse dhe në të bëjnë pjesë përfaqësues:

  • të institucioneve ku nëpunësi është emëruar;
  • të institucioneve, me të cilin institucioni është shkrirë apo bashkuar, në një nga institucionet, në të cilat institucioni është ndarë apo në institucionin që ka marrë funksionet që kryente më parë nëpunësi;
  • në institucionet e varësisë së institucionit të ristrukturuar;
  • në një institucion tjetër të shërbimit civil.
37. Sa kohë para ristrukturimit/mbylljes njësia përgjegjesë duhet të njoftojë nëpunësit?

Njësia përgjegjëse detyrohet që të njoftojë individualisht nëpunësit e institucionit që do të ristrukturohet apo mbyllet 1 muaj përpara për fillimin e procedurës.

38. Cilat janë shkaqet e refuzimit të transferimit?

Nëpunësi civil për të cilin njësia përgjegjëse ka nxjerrë aktin e transferimit, ka të drejtë të refuzojë transferimin vetëm për shkaqet e mëposhtme:

  • kur gjendja e tij shëndetësore, provuar me vërtetim mjekësor, e bën transferimin të pamundur;
  • nëse vendi ku transferohet gjendet më shumë se 45 km nga vendbanimi i nëpunësit civil.
  • Refuzimi i transferimit në çdo rast tjetër përbën shkak për lirimin nga shërbimi civil.
39. Si përkufizohet transferimi?

Transferimi në shërbimin civil nënkupton procesin e caktimit në mënyrë të përkohshme ose të përhershme të nëpunësit civil nga një pozicion në një tjetër pozicion të shërbimit civil. Transferimi mund të jetë i përkohshëm ose i përhershëm.

40. Çfarë kuptojmë me transferim të përkohshëm?

Transferimi i përkohshëm është caktimi i nëpunësit civil përkohësisht në një pozicion tjetër të shërbimit civil brenda të njëjtës kategori. Transferimi i përkohshëm mund të jetë brenda të njëjtit institucion ose në një institucion tjetër për arsye të institucionit, përmirësim të rezultateve në punë, apo paaftësi e përkohshme shëndetësore.

41. Çfarë kuptojmë me transferim të përhershëm?

Transferimi i përhershëm është caktimi i detyrueshëm i nëpunësit civil në një pozicion tjetër të shërbimit civil. Transferimi i përhershëm mund të jetë për arsye shëndetësore, arsye të konfliktit të interesit ose si pasojë e ristrukturimit të institucionit. Transferimi i përhershëm bëhet me kërkesë të nëpunësit civil ose me kërkesë të eprorit apo njësisë së burimeve njerëzore.

42. Ku mund të transferohet përkohshësisht nëpunësi?

Nëpunësi civil mund të transferohet përkohësisht në një pozicion tjetër të shërbimit civil të së njëjtës kategori, sipas rastit përkatësisht:

  • brenda institucionit ku është emëruar, përfshirë edhe degët e tij territoriale,
  • në një institucion të varësisë së institucionit ku është emëruar,
  • në një institucion tjetër të shërbimit civil
43. Cilat janë shkaqet e transferimit të përkohshëm?

Transferimi i përkohshëm realizohet për:

  • Në interes të institucionit, deri në 6 (gjashtë) muaj me/ose pa ndërprerje, gjatë 2 viteve;
  • Për përmirësimin e rezultateve të tij, deri në 3 (tre) muaj pa ndërprerje gjatë 2 viteve;
  • Për arsye të përkohshme shëndetësore apo gjatë shtatzënisë
44. Cilat janë shkaqet e transferimit të përhershëm?

Transferimi i përhershëm realizohet për shkak të:

  • Gjendjes së paaftësisë shëndetësore të nëpunësit për të kryer detyrat;
  • Shmangies së një konflikti të vazhdueshëm interesi, sipas nenit 52 të ligjit;
  • Përfundimit të afatit apo zhdukjes së shkakut të pezullimit të nëpunësit civil dhe pozicioni që mbante në momentin e pezullimit është plotësuar sipas ligjit;
  • Ristrukturimit të institucionit.
45. Çfarë kuptojmë me lirim nga shërbimi civil?

Lirimi nga shërbimi civil është një nga rastet e përfundimit të marrëdhënies së shërbimit civil me nëpunës civil të çdo kategorie.

46. Cilat janë shkaqet për lirimin nga shërbimi civil?

Nëpunësi civil lirohet nga shërbimi civil për shkaqet si më poshtë:

  • Për shkak të refuzimit të pajustifikuar të nëpunësit për të pranuar transferimin e përhershëm;
  • Si rezultat i mbylljes apo ristrukturimit të institucionit, sipas pikave 6 dhe 7, të nenit 50, të ligjit 152/2013, “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar.
  • Kur nëpunësi deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor, sipas ligjit;
  • Pas dy vlerësimeve “jokënaqshëm”, të rezultateve në punë;
  • Kur nëpunësi ushtron të drejtën për pensionin e reduktuar të pleqërisë, sipas ligjit;
  • Kur nëpunësi civil gjendet në një situatë të konfliktit të vazhdueshëm të interesit, të deklaruar nga vetë nëpunësi dhe, sipas ligjit, nuk merr masat e parashikuara për shmangien e konfliktit të interesit brenda afatit të përcaktuar apo nëse transferimi në një pozicion tjetër nuk do të mënjanonte gjendjen e konfliktit të vazhdueshëm të interesit;
  • Kur nëpunësi jep dorëheqjen nga detyra;
  • Kur nëpunësi i nivelit të lartë drejtues anëtarësohet në një parti politike ose kur nëpunësit e niveleve të tjera bëhen anëtarë të organeve drejtuese të një partie politike;
  • Në rast se anëtari i TND-së, i zgjedhur sipas pikës 5/1, të nenit 30, të ligjit 152/2013, “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, nuk përfundon me sukses trajnimin në ASPA;
  • Në rast se vlerësohet përsëri “jokënaqshëm” në përfundim të procedurës së rivlerësimit, sipas pikës 2/1 të nenit 62.
  • Në çdo rast tjetër, të parashikuar nga ligji.
  • Anëtari i TND-së lirohet nga shërbimi civil kur nuk është caktuar në një pozicion të rregullt për të paktën 8 muaj në një periudhë 5-vjeçare;
47. Kush e nxjerr aktin e lirimit nga shërbimi civil?

Lirimi i nëpunësit civil deklarohet me vendim të:

  • Njësisë së burimeve njerëzore të institucionit, ku nëpunësi ushtron detyrën;
  • DAP-it për anëtarët e TND-së.
48. Cilat janë detyrimet e nëpunësit civil në rast largimi nga shërbimi civil?
  • Të bëjë dorëzimin e plotë të dokumentacionit që administron për shkak të detyrës tek eprori i drejtpërdrejtë brenda 5 (pesë) ditëve nga data e marrjes së vendimit të lirimit.
  • Të bëjë dorëzimin e pajisjeve dhe të mjeteve të punës në inventar te njësia përgjegjëse brenda 5 (pesë) ditëve nga data e marrjes së vendimit të lirimit.

Në raste të veçanta, me urdhër të eprorit direkt, afati i dorëzimit të detyrës, i dorëzimit të dokumentacionit, pajisjeve dhe mjeteve të punës në inventar, mund të zgjatet edhe me 5 (pesë) ditë të tjera.

49. A përfitoj dëmshpërblim nëse lirohem për shkak të mbylljes apo ristrukturimit?

Nëpunësit civilë që lirohen për shkak të mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit, në momentin e largimit përfitojnë dëmshpërblimin përkatës në përputhje me vjetërsinë në punë, sipas rasteve të mëposhtme:

  • deri në një vit eksperiencë pune si nëpunës civil, paga e 1 muaji;
  • nga 1 – 3 vjet eksperiencë pune si nëpunës civil, paga e 3 muajve;
  • nga 3 – 6 vjet eksperiencë pune si nëpunës civil, paga e 6 muajve;
  • nga 6 – 9 vjet eksperiencë pune si nëpunës civil, paga e 9 muajve;
  • mbi 9 vjet eksperiencë pune si nëpunës civil, paga e 12 muajve.
50. Kush janë të drejtat e nëpunësit pas lirimit nga shërbimi civil, si pasojë e ristrukturimit apo mbylljes së institucionit?

Nëpunësit civilë, të cilët janë liruar nga shërbimi civil, si pasojë e ristrukturimit apo mbylljes së institucionit kanë të drejtë që, brenda periudhës 2 – vjeçare pas përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil:

  • të konkurrojnë si nëpunës civilë për procedurat e lëvizjes paralele apo ngritjes në detyrë;
  • të emërohen në mënyrë të përkohshme nga njësia përgjegjëse, me pëlqimin e tyre, në pozicione të shërbimit civil.
51. Çfarë është përfundimi i marrëdhënies në shërbimin civil?

Instituti i përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil është mbarimi i statusit të nëpunësit civil për shkak të lirimit, largimit nga shërbimi civil si pasojë e procedimit disiplinor, dorëheqjes, arritjes së moshës së pensionit, vdekjes së nëpunësit civil, pavlefshmërisë së aktit të emërimit, humbjes së zotësisë për të vepruar apo shtetësisë shqiptare dhe dënimit për vepër penale me vendim të formës së prerë.

52. Ku dorëzohet dorëheqja dhe forma e paraqitjes së saj?

Nëpunësi civil njofton përfundimin e marrëdhënies në shërbimin civil nëpërmjet paraqitjes së dorëheqjes me shkrim te njësia e burimeve njerëzore.

53. Kur i krijon efektet dorëheqja?

Dorëheqja i krijon efektet 30 ditë nga data e paraqitjes së saj, por në raste të justifikuara, me kërkesë të motivuar të nëpunësit dhe me miratimin e njësisë së burimeve njerëzore dorëheqja mund t’i prodhojë efektet përpara afatit 30-ditor të njoftimit.

54. A ka të drejtë nëpunësi të konkurroj për lëvizje paralele apo ngritje në detyrë nëse jep doreheqjen?

Nëpunësi civil që jep dorëheqjen ka të drejtë të konkurrojë për procedurat e lëvizjes paralele apo ngritjes në detyrë deri në 2 vjet pas përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil.

55. Çfarë kuptojmë me procedurë disiplinore?

Procedurë disiplinore konsiderohet gjithë veprimtaria administrative, e cila fillon në momentin e konstatimit të një shkeljeje disiplinore, zhvillohet nga ndërveprimi me nëpunësin që pretendohet se ka kryer shkeljen, përfshin një hetim administrativ dhe mbyllet me marrjen e një vendimi përfundimtar nga organi disiplinor.

56. Çfarë kuptojmë me shkelje disiplinore dhe si ndahen ato?

Nëpunësi civil konsiderohet përgjegjës për shkeljen me faj të detyrimeve të përcaktuara në ligjin përkatës. Shkeljet në shërbimin civil ndahen në: shkelje shumë të rënda, të rënda dhe të lehta.

57. Cilat shkelje konsiderohen si shkelje shumë të rënda?

Vlerësohen shkelje shumë të rënda:

  • mospërmbushja e rëndë e detyrave;
  • mosrespektimi i përsëritur i afateve të caktuara në përmbushjen e detyrave, të cilat kanë sjellë pasoja shumë të rënda;
  • moszbatimi haptazi i dispozitave ligjore për përmbushjen e detyrave funksionale;
  • braktisja e punës ose mungesa e pajustifikuar dhe e vijueshme për 7 ditë pune ose më shumë, kur mungesa ka sjellë pasoja shumë të rënda në përmbushjen e detyrave të institucionit;
  • përfitimi në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë i dhuratave, favoreve, premtimeve ose trajtimeve preferenciale, të cilat jepen për shkak të detyrës.
58. Cilat shkelje konsiderohen si shkelje të rënda?

Vlerësohen si shkelje të rënda:

  • mospërmbushja e detyrave;
  • braktisja e punës ose mungesa e pajustifikuar dhe e vijueshme për 3 ditë pune apo më shumë, kur mungesa ka sjellë pasoja të rënda;
  • shkelje e përsëritur e rregullave të etikës në shërbimin civil;
  • sjellja e parregullt, në mënyrë të përsëritur, gjatë kohës së punës me eprorët, kolegët, vartësit dhe me publikun;
  • dëmtimi i pronës shtetërore, përdorimi i saj jashtë përcaktimit zyrtar apo keqpërdorimi i pronës shtetërore;
  • kryerja e përsëritur, brenda ose jashtë orarit zyrtar, e veprimeve që cënojnë figurën e nëpunësit civil, institucionin apo shërbimin civil në tërësi;
  • shkelja e rregullave për ruajtjen e informacionit të klasifikuar apo të mirëbesimit për të dhënat e klasifikuara si të tilla;
  • shkelja e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj.
59. Cilat shkelje konsiderohen shkelje te lehta?

Vlerësohen shkelje të lehta:

  • mungesa e pajustifikuar në punë deri në 3 ditë pune;
  • shkelja e rregullave të etikës;
  • sjellja e parregullt, gjatë kohës së punës, me eprorët, kolegët, vartësit dhe me publikun;
  • kryerja, brenda ose jashtë orarit zyrtar, të veprimeve që cënojnë figurën e nëpunësit civil, institucionin apo shërbimin civil në tërësi.
60. Nga kush mund të evidentohet një shkelje?

Evidentimi i një shkeljeje disiplinore mund të bëhet nga çdo nëpunës i të njëjtit institucion ku bën pjesë nëpunësi që pretendohet se ka kryer shkeljen, kur ai ka dijeni apo dyshon për një shkelje të kryer, ashtu si edhe nga çdo shtetas apo institucion jashtë strukturave të institucionit ku bën pjesë nëpunësi, i cili pretendohet se ka kryer shkeljen disiplinore. Në rastin e trupit drejtues të nivelit të lartë, shkelja mund të evidentohet edhe nga DAP.

61. Në çfarë forme duhet të paraqitet ankesa për shkelje disiplinore?

Që një ankesë të pranohet për shqyrtim, duhet të paraqitet me shkrim, të përcaktojë veprimin konkret, që pretendohet se përbën shkelje disiplinore dhe rrethanat e kryerjes së tij, si edhe të identifikojë qartë, qoftë nëpunësin civil, i cili pretendohet se ka kryer shkeljen disiplinore, qoftë personin që raporton ankesën. Kërkesat anonime dhe ato me pretendime të pakuptueshme nuk pranohen për shqyrtim.

62. Cilat janë organet disiplinore që përfshihen në një procedurë disiplinore?

Organet disiplinore që përfshihen në një procedurë disiplinore janë:

  • Komisioni Disiplinor – është organi që trajton shkeljet e klasifikuara si të rënda dhe shumë të rënda. Komisioni Disiplinor trajton procedurat që prekin nëpunësit civilë të nivelit ekzekutiv, të ulët dhe të mesëm drejtues. Ky organ është i ngritur pranë institucionit të nëpunësit që pretendohet se ka kryer shkeljen.
  • Komisioni Kombëtar i Përzgjedhjes – luan rolin e Komisionit Disiplinor për procedurat disiplinore që prekin trupin drejtues të nivelit të lartë.
  • Eprori direkt – është eprori direk që pretendohet se ka kryer shkeljen dhe është i përfshirë në të gjitha hapat e procesit disiplinor.
63. Cilat janë llojet e masave disiplinore që aplikohen?

Masat disiplinore që mund të zbatohen ndaj nëpunësit civil janë:

  • vërejtje;
  • mbajtja deri në 1/3 e pagës së plotë për një periudhë deri në gjashtë muaj;
  • pezullim nga e drejta e ngritjes në detyrë, përfshirë rritjen në shkallën e pagës për një periudhë deri në dy vjet.
  • largim nga shërbimi civil.
64. Si përshkallëzohen masat disiplinore?

Masat disiplinore jepen në raport të drejtë më shkeljen e kryer.

  • Për shkeljet shumë të rënda, aplikohet masa disiplinore largim nga shërbimi civil;
  • Për shkeljet e rënda aplikohen masat disiplinore: mbajtja deri në 1/3 e pagës së plotë për një periudhë deri në gjashtë muaj ose pezullim nga e drejta e ngritjes në detyrë, përfshirë rritjen në shkallën e pagës për një periudhë deri në dy vjet.
  • Për shkeljet e lehta të parashikuara në pikën 4 të nenit 57 jepet masa disiplinore e parashikuar në shkronjën “a” të nenit 58 të këtij ligji.
65. A mundet që organi disiplinor të vendosë dy masa disiplinore për të njëjtën shkelje në procedim?

Jo, organi disiplinor nuk mund të vendosë dy masa disiplinore për të njëjtën shkelje në procedim.

66. Sa zgjat procedimi disiplinor?

Konform parashikimit në Kodin e Procedurave Administrative, afati për përfundimin e procedimit disiplinor është 60 ditë. Rastet përjashtimore përcaktohen qartë në aktet ligjore dhe nën ligjore.

67. Kur ndërpritet ecuria disiplinore?

Organi disiplinor merr vendim për ndërprerjen e ecurisë disiplinore në rastet kur:

  • nuk është konstatuar shkelje disiplinore siç ishte menduar;
  • rezulton se nëpunësi nuk ka kryer shkelje me faj;
  • veprimi nuk ka qenë ose nuk është kryer nga nëpunësi përkatës.
68. Për sa ditë zbardhet vendimi i Komisionit Disiplinor?

Vendimi zbardhet brenda 4 ditësh në 3 (tre) ekzemplarë, një ekzemplar i jepet njësisë së menaxhimit të burimeve njerëzore të institucionit dhe bëhet pjesë e dosjes personale të nëpunësit të proceduar, një ekzemplar i jepet nëpunësit të proceduar dhe një ekzemplar i jepet DAP.

69. Sa është afati i ankimit për vendimin e marrë për masën disiplinore?

Afati për të ankimuar vendimin e Komisionit Disiplinor në çdo rast është 45 ditë. Ky afat duhet të përcaktohet qartësisht në pjesën e dispozitivit të vendimit, si edhe Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, e cila ka kompetencën për shqyrtimin e kësaj çështjeje.

Mos përcaktimi i këtij afati në dispozitivin e vendimit sjell si pasojë që afati ankimor të konsiderohet 1−vjeçar.

70. A shuhen masat disiplinore?

Masat disiplinore shuhen me kalim e afatit:

  • 2 vjeçar nga njoftimi i masës së parashikuar për shkeljet e lehta;
  • 3 vjeçar nga mbarimi i afatit për të cilin është zbatuar masa e parashikuar për shkeljet e rënda;
  • 7 vjeçar nga njoftimi i masës së parashikuar për shkeljet shumë të rënda.